Pjesëmarrës në këto seminare ishin tatimpagues, organizata biznesi, njësi të përhershme, OJQ, përfaqësues të tyre, si dhe qytetarë të interesuar për temat e lartpërmendura.
Në këto seminare pjesëmarrësit u informuan, lidhur me reformat në regjistrimin e biznesit, mënyrën e përdorimit të deklarimit elektronik për Tatim në Paga dhe Kontribute Pensionale dhe TVSh, deklarim i cili është në dispozicion të tatimpaguesve që nga data 1 Maj 2012, ku fillimisht do të jetë mundësi alternative e deklarimit, e nuk do të jetë domosdo e vetmja formë e deklarimit të tatimeve dhe Kontributeve Pensionale. Forma aktuale e raportimit, përmes formularëve të posaçëm dhe raportimit tremujor, do të mund të përdoret deri në fund të muajit Korrik.
Pjesëmarrësit u njoftuan për periudhën tremujore, e cila do të jetë parapërgatitore, informuese e vetëdijësuese për punëdhënësit deri në kalimin e plotë dhe të vetëm në sistemin e deklarimit elektronik.
Duke filluar nga 1 gushti 2012, asnjë raportim a deklarim në formë tjetër për Kontributin Pensional, Tatimin në Paga dhe TVSh, përveç deklarimit elektronik përmes ueb-faqes së ATK-së, nuk do të mund të përdoret nga tatimpaguesit.
Me fokus të veçantë janë trajtuar edhe çështje të tjera si: ndryshimet në legjislacionin tatimor si: ndryshimet në Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat, Tatimin në Vlerën e Shtuar, Tatimin në të Ardhurat Personale, si dhe Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.
Gjatë këtyre seminareve, pjesëmarrësit kanë parashtruar pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, ATK iu ka ofruar përgjigje adekuate.
Pjesëmarrja e tatimpaguesve në këto seminare ka qenë mjaft e lartë, me ç’rast u janë shpërndarë materiale informuese, si fletëpalosjet: “Të drejtat dhe obligimet e Tatimpaguesit”, Informata të përgjithshme për Administratën Tatimore të Kosovës, Pyetje – Përgjigje për TVSh, TAK, TAP, Informata për Borxhin tatimor, Udhëzuesi mbi paraqitjen e Informacioneve mbi Evazionin tatimor, korrupsionin apo sjelljet jo të mira të stafit të ATK-së, si dhe Broshura – Regjistrohu, deklaro dhe paguaj tatimin.
Po ashtu, janë shpërndarë edhe njoftimet e publikuara, si: Regjistrimi i veprimtarive ekonomike dhe deklarimi i të punësuarve, Deklarimi dhe korrigjimi i të ardhurave, në mënyrë reale, Raportimi i blerjeve mbi 500 euro, si dhe Njoftimi për ndryshimet në Legjislacionin Tatimor.