Biografia e Drejtorit të Departamentit të Shërbimeve Juridike, z. Ilir Islami
Ilir Islami është jurist dhe ekspert i së drejtës publike, me përvojë të gjatë profesionale dhe akademike në fushën e administratës tatimore, legjislacionit fiskal dhe menaxhimit publik. Ai ka përfunduar studimet e doktoratës në Shkencat Juridike në drejtimin e së drejtës publike (2016), ndërsa më herët ka përfunduar studimet master në të drejtën financiare (2008) dhe studimet bazë juridike në të drejtën e përgjithshme (2000) në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Që nga viti 2001, Dr. Islami ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ku aktualisht mban pozitën e Drejtorit të Departamentit për Shërbime Juridike. Gjatë viteve ka ushtruar edhe funksione të tjera të rëndësishme, përfshirë ato të menaxherit të Burimeve Njerëzore, këshilltarit për Edukim dhe Legjislacion, si dhe menaxherit Operativ Regjional. Ai ka qenë kryesues i shumë grupeve punuese për hartimin e ligjeve dhe rregulloreve tatimore, reformave fiskale dhe organizimit të brendshëm të ATK-së, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e politikave fiskale dhe përmirësimin e kuadrit ligjor në Kosovë.
Krahas angazhimeve profesionale, Dr. Islami është aktiv edhe në fushën akademike si ligjërues në Institutin AAB (2017 – vazhdim) dhe më herët në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Kolegjin “Juridica”, ku ka ligjëruar lëndë në fushat e së drejtës fiskale, financave publike, qeverisjes lokale dhe të drejtës së biznesit. Ai është autor i tekstit universitar ‘’Sistemi i Autonomisë Lokale në Kosovë’’ dhe autor i mbi 15 punimeve shkencore, si dhe ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare si në Tiranë, Stamboll, Portoroz dhe vende tjera në rajon e më gjerë. Me përvojën e tij shumëdimensionale, Dr. Islami njihet si një ndër profesionistët kryesorë në fushën e të drejtës publike dhe reformave fiskale në Kosovë.
Ilir Islami
Drejtor i Departamentit të Shërbimeve Juridike
mobile: +383 44 164 090
email: Ilir.Islami@atk-ks.org