Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) është duke vendosur etiketë (stikerë) identifikues në bizneset e regjistruara, me qëllim të dallimit të tatimpaguesve të formalizuar nga ata që zhvillojnë veprimtari të paregjistruar.
Vendosja e këtyre etiketave ka për qëllim:
- Identifikimin e tatimpaguesve të regjistruar në sistemin tatimor;
- Nxitjen e formalizimit të aktiviteteve ekonomike; si dhe
- Luftimin e ekonomisë joformale.
Etiketa e vendosur nga ATK është një shenjë që tregon që biznesi është i regjistruar.
ATK u rikujton të gjithë personave që zhvillojnë aktivitet ekonomik të paregjistruar se janë të obliguar, sipas Ligjit në fuqi, të regjistrohen në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Regjistrimi është i lehtë dhe shumë i thjeshtë!
Në të kundërtën, në rast se gjatë inspektimeve identifikohen persona që zhvillojnë aktivitet të paregjistruar, ATK do të ndërmarrë veprimet e parapara me ligj, përfshirë:
- Regjistrimin e detyrueshëm të aktivitetit dhe gjenerimin e Numrit Fiskal, si dhe
- Aplikimin e sanksioneve sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Po ashtu, ATK u bën thirrje edhe tatimpaguesve të regjistruar që të sigurohen se të gjitha të dhënat e tyre në sistemin tatimor janë të përditësuara, ashtu siç kërkohet me Ligj. Rifreskimi i informatave – përfshirë adresën, numrin kontaktues, llojin e aktivitetit apo statusin e biznesit – është detyrim ligjor dhe ndihmon në funksionimin e saktë të sistemit tatimor dhe në komunikimin e pandërprerë me ATK-në.
Administrata Tatimore e Kosovës fton të gjithë tatimpaguesit dhe qytetarët që të bashkëpunojnë në këtë proces dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një mjedisi të drejtë dhe të barabartë tatimor, në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.
Bëhu pjesë e ekonomisë formale, për një Kosovë më të drejtë dhe më të fortë!
Administrata Tatimore e Kosovës